Çitaku e Tahiri vizitojnë Thaçin në Hagë: Jemi optimistë në ngadhënjimin e drejtësisë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë vizituar në Hagë, ish-presidentin Hashim Thaçi.

Çitaku ka shkruar në Facebook se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi kanë krijuar historinë.

“Sfidat dhe pengesat që kanë kaluar në jetë kanë qenë shumëfish më të mëdha sesa sfida në të cilën po kalojnë sot. Ata nuk janë të burgosur. Ata po mbahen peng. Megjithatë, edhe pas kësaj vizite te Presidenti Thaçi, dolëm optimistë në ngadhënjimin e drejtësisë. Bashkë me Arlindën, Bekimin dhe Abelardin”, ka shkruar ajo.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.