Liberalizimi i vizave, kërkesa kryesore e Kurtit në Bruksel

Sot në Bruksel është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cili është takuar me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve, kreu i Ekezkutivit kosovar ka përsëritur kërkesën se shtetet e Këshillit të BE-së duhet të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai ka shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se beson se BE-ja duhet që të lëvizë para.

“Kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe besojmë që BE-ja të lëvizë para. Integrimi në BE nuk ka alternativë. Ne jemi të motivuar të vazhdojmë reformat tona transformuese në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, ka thënë Kurti në Bruksel.

Në Bruksel, Kurti foli edhe për dialgoun Kosovë-Serbi, gjatë takimit me Lajçakun.

Kumtesa e kryeministrisë njofton se po ashtu u bisedua edhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

BE përsërit qëndrimin se Asociacioni i komunave serbe duhet të formohet

Në një adresim për media pas mbledhjes, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e mirëpret takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit, Kosovë-BE.

Kurti ka thënë se kanë adaptuar planin e ri me prioritetet që vijnë nga MSA dhe zbatimi i tyre do të jetë prioritet, shkruan Reporteri.net.

“Qeveria e Kosovës e mirëpret takimin e katërt të MSA-së. Kjo është mbledhja e parë për qeverinë e re. Kjo është mbledhje historike për implementimin e MSA-së. Ne kemi adoptuar planin e re me prioritetet që vijnë nga MSA të cilat jemi të përkushtuar t’i realizojmë me përkushtim të lartë. Vendet e Ballkanit duhet të ecin sa më shpejt drejt Bashkimit Evropian. BE është fati dhe destinimi ynë dhe nuk shohim alternativë. Në të njëjtën kohë mendojmë se kriteret e BE-së duhet të jenë të drejta. Ne besojmë që është e rëndësishme që më në fund të kemi liberalizim të vizave. Janë bërë tri vjet që kur Komisioni Evropian për herë të dytë rekomanduan liberalizimin e vizave. Ne i kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret”, u shpreh Kurti në adresimin për media.

Ndërsa, në anën tjetër shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media ka thënë se nuk kanë ende një datë se kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka potencuar se nuk ka ende konstruktivitet mes palëve për t’u kthyer në tavolinën e dialogut, shkruan Reporteri.net.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit, duke përsëritur se marrëveshja e nënshkruar duhet të zbatohet.

“Ne gjithmonë njoftojmë për takimet e nivelit të lartë. Ne nuk kemi njoftuar ende. Ne kemi bërë të qartë që parakusht për takim të nivelit të lartë është që dy palët të jenë të gatshme për takim, ku qëllimi është që të arrihet progress. Asociacioni i komunave serbe është pjesë e procesit të Berlinit dhe presim që të gjitha marrëveshjet të respektohen dhe të përmbushen nga të dy palët. Është pjesë e marrëveshjes dhe duhet të implementohet”, është shprehur Borrell.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti potencoi se Asociacioni është kundërkushtetues dhe më shumë u shërben politikanëve të caktuar sesa vetë qytetarëve.

“Ka shumë marrëveshje që nuk janë respektuar, por Beogradi përmend gjithmonë atë për Asociacionin. Besoj që është koha të kemi dialog me karakter demokratik, ku do të përfitojnë populli. Unë jam demokrat, prandaj mendoj se kapitujt e ardhshëm të dialogut nuk duhet të bëhen për të shpëtuar politikanë, dhe lëkurën e tyre, por qytetarët. Kam frikë se Asociacioni më shumë u shërben politikanëve në Serbi se qytetarëve”, është shprehur Kurti, përcjell Reporteri.net.

Kurti përfaqëson Kosovën me fusnotë në Këshillin e Stabilizim-Asociimit

Në takimin e sotëm në Bruksel me drejtuesit më të lartë evropianë, Kurti e ka përfaqësuar shtetin me fusnotë dhe jo me emrin kushtetues Republika e Kosovës.

Për këtë, vetë Kurti vazhdimisht ka shprehur kritika për vendosjen e fusnotës krahas emrit të Kosovës nëpër ngjarje të ndryshme.

“Tradhti shtetërore” e kishte quajtur Kurti vite më parë vendosjen e fusnotës.

Në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) në Bruksel, delegacioni i plotë i kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës u përbë nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.