Ambasadori rus në Beograd kundër planit franko-gjerman: Perëndimi po hedh benzinë në zjarr

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko ka komentuar zhvillimet e fundit në rajon dhe pashmangshëm planin franko-gjerman, dokument ky që synon zgjidhjen e paqes mes Kosovës e Serbisë, të paktën për një periudhë disa vjeçare, nëse jo një të përhershme.

Përmes një komunikate, Botsan-Kharchenko ka shtuar se me këtë propozim Perëndimi po synon të hedh benzinë në zjarr.

“Me fjalë të tjera: Perëndimi e uli tensionin e problemit të targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri për të normalizuar situatën në krahinë. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit.

Në përgjithësi, duket se aktiviteti ndërmjetësues i BE-së nuk ka asgjë të përbashkët me rolin e një ndërmjetësi të ndershëm”, ka thënë Botsan-Kharchenko, raporton Tanjug.

Konfirmimi

Para tri javëve, ishte hera e parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se ekziston një plan franko-gjerman dhe i cili nuk është refuzuar nga Kosova.

Kryeministri Kurti në konferencë për medie kishte deklaruar se situata në veri është krijuar, pasi Serbia e ka kundërshtuar planin teksa, sipas tij, për Kosovën është “hap në drejtim të duhur”.

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse konceptet që aty përdoren, janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi tek ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”- kishte thënë Kurti.

“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë), por më 18 gusht, pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhur në zyrën time, këtu, përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez.”

Por Kurti ka pasur edhe vërejtje për planin franko-gjerman.

“…ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, ua kam thënë edhe atyre. Por unë nuk e kam kundërshtuar”- kishte shtuar Kurti, i cili në takimin e fundit në Bruksel ka kërkuar që të fillojnë bisedimet për këtë plan.

EURACTIV

Euractiv ka publikuar atë që pretendon të jetë propozimi franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi franko-gjerman ka zënë ballinat e mediave rajonale tash e disa javë, megjithëse fillimisht iu mohua ekzistenca.

Por, ky plan fitoi legjitimitet veçanërisht më 3 nëntor kur u pranua si një mundësi për ecje përpara nga kancelari federal i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Për këtë propozim tashmë ka folur edhe presidentja por edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, derisa ka pasur diskutime nga i pari edhe me liderët e partive opozitare.

9 pikat e Propozimit

Sipas tekstit që e ka parë faqja Euractiv përmes një burimi të besueshëm, shkruhet si vijon:

Neni 1

Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre të përbashkëta për anëtarësim në BE.

Neni 3

Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mospajtim mes asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Neni 5

Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.

EURACTIV është një medium gjithë-evropian i specializuar në çështje të Bashkimit Evropian, dhe i themeluar në vitin 1999.