Klitschko reagon, mohon të ketë thënë se “ukrainasit do të çlirohen si shqiptarët prej Serbisë”

Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, ka bërë një reagim duke mohuar raportimet se në një deklaratë për një medium shqip në Zvicër ka thënë se “ukrainasit do të çlirohen nga Rusia sikur shqiptarët prej Serbisë”.

Bëhet fjalë për një deklaratë të tij të publikuar nga lecanton27.ch, deklaratë që gjithashtu është shpërndarë edhe nga disa media në Kosovë – dhe më gjerë.

Sipas mediumit në fjalë, Klitschko ndër tjerash ka thënë se “Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupojë vendin tonë – Ukrainën – që mëse 100 ditë, sikur ju (në Kosovë) që ishin dikur të okupuar nga Serbia…”.

Dhe lidhur me këtë raportim të mediumit në fjalë, Klitschko ka shkruar: “Miq! Disa media të huaja online, përfshirë ato ruse, vazhduan të përhapin ‘citimin’ tim të supozuar për Serbinë dhe Shqipërinë. Unë nuk kam bërë një koment të tillë. Dhe përpara se të ribotojnë këtë informacion të supozuar dhe të citojnë diçka, gazetarët duhet të kërkojnë konfirmimin audio ose video të një ekskluziviteti të tillë”.

Kujtojmë se kjo deklaratë e publikuar nga mediumi në fjalë ka nxitur reagime edhe në Serbi.

Pre e një lajmi të tillë ka rënë edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ai madje ka shkuar aq larg sa që ka pretenduar se “nëse shqiptarët janë pushtuar në Kosovë, atëherë edhe rusët janë në Donbas dhe se kanë të drejtë të heqin qafe okupatorin ukrainas”.

Gjithashtu, rreth kësaj deklarate të pakonfirmuar ka pasur një reagim edhe nga ambasada e Ukrainës në Beograd.

Siç vë në pah Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, Ambasada e Ukrainës në Beograd thekson se Klitschko, si çdo qytetar i Ukrainës, ka të drejtën e garantuar me Kushtetutë për lirinë e mendimit dhe fjalës, për shprehjen e lirë të pikëpamjeve dhe bindjeve të tij, por duke theksuar se lidhur me çështje si Kosova, “pozicioni i Ukrainës është i mirënjohur”.