Macron i bën thirrje homologut rus Putin të respektojë sovranitetin e fqinjëve

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha të premten homologut të tij rus Vladimir Putin se Rusia duhet të respektojë sovranitetin e fqinjëve të saj, tha një zyrtar i presidencës franceze, ndërsa aleatët perëndimorë përpiqen të ulin tensionet mbi Ukrainën.

Të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu gjatë një bisede telefonike se vendet e tyre do të angazhohen në diskutime diplomatike katërpalëshe, sipas formatit të Normandisë si pjesë e përpjekjeve për të zbutur tensionet, shtoi zyrtari.

“Presidenti Putin tha se ai do që të vazhdojë dialogun dhe se është e rëndësishme të punohet për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut,” tha zyrtari francez, duke shtuar se Putin theksoi se nuk donte që situata të përshkallëzohej.

Sipas Kremlinit, gjatë bisedës me Macron, presidenti Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk u kishin dhënë përgjigje kërkesave kryesore të Moskës për sigurinë lidhur me krizën në Ukrainë, por se pala ruse ishte e gatshme të vazhdonte bisedimet.

Ky është reagimi i parë i Putin lidhur me përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s ndaj kërkesave ruse. /VOA/