Shënohet viktima e parë e zjarreve në jug të Turqisë

Një person ka vdekur dhe dhjetë të tjerë janë ngujuar nga një zjarr në pyll, i cili po vazhdon të jetë aktiv për të dytën ditë në jug të Turqisë, njoftoi ministri turk i Bujqësisë, Bekir Pakdemirli.

Moti i nxehtë dhe erërat e fuqishme kanë ndikuar në përhapjen e falëve përreth qytetit Manavgat, 75 kilometra në lindje të qytetit bregdetar, Antalia, dhe në fshatrat përreth, shkruan Reuters.

Ministri Pakdemirli tha se një burrë 82-vjeçar u gjet i vdekur gjatë evakuimit të distriktit Kepezbeleni, 16 kilometra në verilindje të Manavgatit, ndërsa 10 persona janë ngujuar afër atij vendi. Ekipet emergjente janë rrugës për t’i shpëtuar personat e ngujuar, shtoi ai.

Autoritetet i kanë evakuuar 18 fshatra dhe distrikte në Antalia, përderisa 16 fshatra të tjera janë duke u evakuuar në provincat fqinje, Adana dhe Mersin.

Pamjet televizive shfaqën ndërtesa banimi të djegura dhe njerëzi duke ikur nëpër fusha, ndërsa zjarrfikësit u përkrahën nga helikopterët në luftën kundër zjarreve.