Athua na shpëton kthimi i dënimit me vdekje?

Shkruan: Alida Cenaj

Klodian Çalamani vrau një fëmijë tetë vjeç dhe e varrosi në oborrin e barakës-shtëpi ku jetonte. Horrori i radhës ndodhi dhe askush nuk mund të betohet e as të argumentojë se kjo nuk ishte një vrasje e paralajmëruar që në vitin 2009 kur, i njëjti njeri, rrëmbeu dhe dhunoi një 16-vjeçare.

Vajza në fjalë arriti të shpëtonte veten, i shpëtoi dhunuesit, dhe për këtë Klodiani bëri më pak se katër vjet burg! Një kandidat për vrasës u kthye në komunitet sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Pas kësaj, Klodiani dhe banorët e fshatit Grecalli në Fier, kanë bashkëjetuar. I pari në mjerimin dhe problemet e veta mendore, ekonomike etj., të dytët në vigjilencë të përditshme për të ruajtur fëmijët dhe veten prej fqinjit të tyre. Deri kur një vogëlush tetëvjeçar nuk ia doli të mbrohej!

Ky është problemi!

Secili nga ne mund të ketë një Klodian në lagjen, pallatin, qytetin, fshatin e tij. I identifikuar si kriminel i mundshëm ose jo. Imagjinoni për një moment sikur fqinji juaj i ri të jetë një pedofil, rrëmbyes fëmijësh, psikopat, përdhunues që ka kryer dënimin dhe rikthehet të jetojë i lirë. Çfarë do të bëni? Do të ankoheni në polici? Do të luteni që dikush ta largojë nga komuniteti juaj? Do të luteni ta çojnë për kurim në psikiatri? Çfarë?

Nuk bëni dot asgjë përveçse të vini në punë mekanizmat personal të vetëmbrojtjes dhe të luteni. Sepse mekanizmat e tjerë institucionalë nuk funksionojnë në këtë vend. Nga rajoni i policisë do të të përcjellin; gjykatat do t’i “ledhatojnë” me dënime minimale, prandaj dhe vrasësit bredhin të lirë.

Përveç kësaj:

– Shqipëria nuk e ka një bazë të dhënash për kriminelët e kategorisë së Klodian Çalamanit. Nuk ekziston një bazë e kategorizuar të dhënash që shteti ta dijë ku i ka pedofilët, përdhunuesit, psikopatët etj., pasi i ka nxjerrë nga burgu. Nuk ka asnjë program apo ide se si ti trajtojë ata.

– Nuk e ka një program funksional, as mbikëqyrje, as social e as të integrimit të këtyre individëve në shoqëri.

– Mentaliteti i shoqërisë shqiptare sëmundjen e ka turp, sidomos sëmundjet mendore. Psikopatët, kontingjent për të kryer krime, fshihen e mohohen, deri kur pëlcasin. Vetëm pasi vrasin, familjarët e pranojnë që kishte “çrregullime mendore” … në rastin më të mirë, “merrte ilaçe” …

Nga ana tjetër, shteti nuk ka takat t’i marrë përsipër, t’i kurojë, a qoftë t’i mbyllë në çmendinë. Zakonisht aty nuk ka vende.

– Shërbimet sociale nuk i ndjekin rastet e ngjashme pasi dalin nga burgu. Ku janë? Si jetojnë? A punojnë? A kanë nevojë për psikolog? A marrin ndihmë sociale?

– Familjarë e anëtarë të komunitetit nuk kanë ku ankohen e as ku të kërkojnë ndihmë. Në polici? Sa gra janë vrarë edhe pse kanë pasur urdhër mbrojtje?

A funksionon programi i mbykëqyrjes? Deri tani asnjë ditë.

Tani, imagjinoni sikur dënimi me vdekje të ishte në fuqi. Klodian Çalamani do të dënohej me vdekje. Plotësisht e merituar, por a e zgjidh kjo hallin tonë? Athua do ta mendojë maniaku i radhës frikën nga litari para se të bëjë krimin e radhës?

Bota është e mbushur me të çmendur dhe krime të tilla ndodhin kudo, çdo ditë. Por, nëse do të ishim një vend normal, nëse disa lloj institucionesh do të funksiononin, ca syresh mund të parandalohen. Jeta e një fëmije do të ishte kursyer.

Ndërsa, ne nuk do të ndiheshim zbuluar përballë çdo lloj halli, psikopati, vrasësi e dhunuesi që jeton i lirë të vrasë, varrosë e përdhunojë sa herë i fiket llamba e turit.