Konservatorizmi politik

Njëra prej shtyllave më të fuqishme dhe më përmbajtësore të një partije politike të djathtë (apo të qendrës së djathtë) është konservatorizmi politik. Konservatorizmi politik, në këtë kuadër, nuk do të thotë mosndryshueshmëri!

Shkruan: Faton Bislimi

Konservatorizmi politik si bosht kurrizor i një subjekti politik ruan trashëgëminë politike dhe sforcon vizionin për të ardhmen në linjë me principet themeltare mbi të cilat është ndërtuar subjekti në fjalë. Ndryshimet janë të domosdoshme.

Ato paraqesin trajtën e domosdoshmërisë së rrethanave në trajektoren drejtë përmbushjes së misionit e vizionit politik në secilën kohë.

Por, konservatorizmi politik rëndohet e bile edhe dëmtohet, kur ndryshimet që bëhen janë më shumë kozmetike sesa substanciale, më shumë të interesit personal sesa të interesit politik partiak.

Goditja më e fortë që i bëhet konservatorizmit politik është implementimi i stadardit të dyfishtë të ndryshimit. Kur ky standard bëhet instrument për fortifikim pozitash apo trumpetim lavdije të pabazë për individë të subordinuar, atëherë subjekti politik, në dukje rigjenerohet, por në përmbajtje vyshket!

Të cënosh konservatorizmin politik të një subjekti politik të djathtë (të qendrës së djathtë) është të godasësh boshtin kurrizor të tij. Sa më e madhe kjo goditje, aq më i thellë dëmi—dëm ky, shpeshëherë, i pariparueshëm.

Vlerat e bazuara në profesionalizëm e kontribut politik duhet shpërblyer. E ato vlera rriten kur të tjera iu bashkangjiten vetëm në trajtën e duhur të domosdoshmërisë së rrethanave e jo për interesa personale të kujtdoqoftë.

Nuk mundet askush të pretendojë se po bënë më të mirën për subjektin politik të tij ose saj kur ndryshimet nuk i sheh përmes prizmës së frymës të mirëkuptimit të përbashkët.

Ne mund të ecim përpara sigurtë vetëm të përbashkuar rreth misionit dhe vizionit politik të subjektit që i takojmë, e duam, e i shërbejmë me besim në vlerat autentike që ngërthen në vete, e në kuadër të interesit kombëtar e shtetror.

Secila rrugë tjetër është vecse një qorrsokak politik, një aventurë jetëshkurtër në dallgët e politikbërjes partiake.