Kur e takova Bekim Fehmiun…

Në vitin 2002 a 2003 Bekim Fehmiu erdhi në Tiranë. I ftuar për programin “Dua më shumë Shqipërinë”, një show i suksesshëm i përsëritur 3 a 4 herë edhe më vonë me shqiptarë të suksesshëm nëpër botë. Bekimi ishte gjithë huqe, pranoi të vinte vetëm pasi i botuam në shqip librin e tij “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm”, një biografi e jetës së tij të jashtëzakonshme. Ishte stari i asaj mbrëmjeje, miti i tij ekzistonte edhe në Shqipëri.

Shkruan: Ermal Mulosmani

Mikesha ime Vera Grabocka ishte producentja dhe regjisorja e atij programi. Me Bekimin kishte njohje të vjetër, familjarisht. Komunikimet me Bekimin dhe gruan serbe të tij, Brankën, ishin ekskluzivitet i saj.

Bekimin e pritëm me pekule të mëdha. Fjeti në Rogner bashkë me gruan. Ne u kishim lënë një asistente që komunikonte me ta për çdo gjë. Por edhe Vera shkonte në Rogner ti shihte vazhdimisht. Një lloj meraku i mikpritësit për starin.

Një mëngjes shkuam bashkë. I gjetëm të dy në hollin e Rognerit bashkë me asistenten. Unë i kërkova Verës me këmbëngulje të ulesha diku tjetër sa të mbaronte takimi me të. Vera këmbënguli të vija por nuk pranova. U ula nja dy tavolina tutje.

Vera u përqafua me zhurmë dhe batuta reciproke. Pas nja 4-5 minutash më kërkoi tu bashkohem “Hajde Ermal, takoje Bekimin se takime të tilla të vijnë një herë në jetë”. Ose diçka e tillë. Unë u skuqa dhe u afrova me siklet.

“Ky është Ermal Mulosmani, bashkëpunëtori im i kryesor”- thotë Vera duke më prezantuar.

I zgjata dorën. Ishte i ulur. Në sekondë çohet në këmbë.

“Mulosmani”? – tha i habitur duke nxitur kuruozitetin e tavolinës. “E çka e kie ti Sali Man Bajraktarin ti”- më pyeti menjëherë.

I thashë që është xhaxhai i gjyshit tim.

Pauzë. U ul dhe u fokusua te unë. Vazhdoi:

“Sali Man Bajraktari është miku më i mirë i babës tem, Ibrahim Efendisë. Unë kam shkruajtur për të disa faqe në librin tim. Duhet ta lexosh patjetër, është në fillim të librit, nga faqja… te faqja …ku flitet për fëmijërinë time”.

Pastaj biseda u fokusua befas te fisi im. Vera dhe të pranishmit u befasuan. Unë nuk jam natyrë që i përballoj fort “prozhektorët” dhe doja të çohesha sa më shpejt. Megjithëse në një skutë të vanitetit po miklohesha shumë…

Kaq ishte ai kujtim…

Sot pashë një foto që vajza e Sali Manit, halla ime, e kishte shpërndarë në Fb dhe mu kujtua ajo biseda….Në foto është Sali Mani dhe Ibrahim Fehmiu, babai i Bekim Fehmiut.(burri me plis në kokë është Sali Mani).

Mu kujtua gjithashtu edhe që unë harrova ta blija librin e Bekimit dhe të lexoja pjesën e Sali Man Bajraktarit (Mulosmanit). Mirëpo sa mirë që gjenden këto fotografitë vintage (nga Foto Marubi me siguri) dhe u bënë sebep….