Pa rënë në kurthin e euforisë

Njohja e ndërsjellë e dokumenteve nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duke respektuar parimin e barazisë dhe reciprocitetit, nuk mund të mos merret në konsideratë. E themi këtë sepse është një tregues për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale mes këtyre dy vendeve. Kështu, shtetasit e të dy anëve mund të udhëtojnë lirshëm në to, me letërnjoftimet e tyre.

Në këto momente tërheqin vëmendjen disa dukuri, të cilat qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj, Albin Kurti, në sintoni me organe të ndryshme të medias, kërkojnë t’i bëjnë gjithnjë e më tepër prezente. Fjala është për një eufori pas kësaj që shtrihet për të marrë sa më shumë hapësirë, duke u bërë hije përpjekjeve të deritanishme për një dialog sa më efikas midis dy vendeve në rrugën e tyre evropiane.

Sigurisht, kjo është një arritje. Pa harruar që për të është vendosur njëmbëdhjetë vjet më parë, në bisedimet dypalëshe. Në korrik të vitit 2011, të dyja palët kanë rënë dakord, sipas pikës 1 të Marrëveshjes, që qytetarët e tyre duhet të kenë mundësi të udhëtojnë brenda ose përmes territoreve të njëra-tjetrës dhe, sipas pikës 2, “secila palë do të zbatojë sa më shpejt në aspekt operativ, një sistem të kalimit të kufirit administrativ të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime”. Megjithatë, këto mbetën në letër. U deshën njëmbëdhjetë vjet pa të realizohej kjo, krahas pikave të tjera të marrëveshjes, që nuk dihet sa kohë do të marrin ato nëse ndiqet e njëjta praktikë, me zvarritje pas zvarritjesh, pa limit nga ana e palës serbe.

Të mos i marrim të gjitha dafinat për vete, siç na ndodh jo rrallë. Një ingranim më i vendosur i Bashkimit Europian, me mbështetjen e njohur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të dërguarve të posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak të BE-së dhe atij të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimet me drejtuesit kryesorë të dy vendeve, bëri që të arrihet në zgjidhjen e kërkuar, duke shmangur ndërkohë zgjimin e tensioneve sikurse ka ndodhur.

Në të njëjtën kohë shohim si ogur të mirë apo kjo dhe për shkak të dëshirës sonë, që diplomacia e Bashkimit Evropian, gjykuar dhe nga ky rast, po del nga njëfarë pafuqie e deritanishme e saj, rrjedhojë e një kohezioni të munguar më parë, por dhe dëshire të zbehtë për të qenë aktive në mos mbetjen në vend të atyre problemeve të njohura mes Prishtinës dhe Beogradit. Këmbëngulja aktuale e saj për implementimin e marrëveshjeve të dakordësuara mes palëve duhet të jetë dhe më tej, kur problematika, e ngrirë deri tani, është dhe më e vështirë, për t’iu përgjigjur më mirë dhe mbështetjes, vendosmërisë amerikane, që siç është shprehur këto ditë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në përkrahje të procesit të dialogut, “është prioritet i tyre, që duan të shohin progres dhe implementim të marrëveshjeve të kaluara”. Dhe, jo vetëm kjo, por Ballkani Perëndimor në tërësi ka tashmë vëmendjen e veçantë të politikës amerikane, aq shumë të nevojshme për të.

Përballë kësaj, rënia në kurthin e euforisë e palës kosovare, e rrudh ndjeshëm në rastin për të cilën folëm, dinamizmin e nevojshëm të qeverisë, duke i hapur udhë fjetjes në dafina. Sepse, sikurse e kam trajtuar disa herë dhe në shkrimet e mia të mëparshme, kërkohet përgatitje serioze në negociata e jo si për të bërë borxhin. E themi këtë, duke marrë shkas dhe nga konstatimi i drejtë, i një jave më parë, i Christopher Hill, diplomat i njohur, ambasador i SHBA në Beograd, rreth takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, më 18 gusht: “Serbia, shprehet ai, shkoi e përgatitur për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë, kur palët e tjera nuk ishin të përgatitura, që të flasin për specifika”. Krekosur e me duar në xhepa apo, siç thotë populli “me ushkur zgjidhur”, nuk mund të shkohet.

Probleme edhe më të vështira pritet të diskutohen, në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Më të afërtat janë ato që lidhen me targat e automjeteve. Apo ajo për krijimin e asociacionit të komunave serbe, një nga pikat e tjera të vështira të marrëveshjes së përbashkët të vitit 2011 dhe për të cilën Serbia insiston, duke e parë këtë si hap të rëndësishëm për të shkuar te marrëveshja përfundimtare. Kështu dhe për çështje të tjera. Të dyja vendet deri tani kanë akuzuar njëri-tjetrin për moszbatimin e tyre. Akuzat apo dhe retorikat e farsat e demoduara vetë dialogun e dobësojnë, në vend të ndërmarrjes së zgjidhjeve konkrete dhe të guximshme. Kur flasim për Kosovën, këto zgjidhje kanë nevojë për një bashkëpunim të ngushtë me forcat politike, për njëzëshmërinë e deputetëve në Parlament. Ngujimi gjithashtu në interesa të tilla, për të grumbulluar më shumë vota për veten dhe partinë që përfaqëson, pavarësisht dëshirës së mirë të Kurtit, dashur pa dashur çon në të kundërtën. Të humbasësh dhe më tej kohë, nuk është kurrsesi në interes të vendit dhe njerëzve të saj, të cilët presin realizimin e Marrëveshjes me Serbinë për njohje të ndërsjellë.