Rruga e prerë e Thaçit nga Gjyqi i Hagës, stili evropian

Shkruan: Skënder Berisha

Para dy vitesh, ish presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, iu pre rruga për në Uashington. Atje, ai kishte punë për të bërë, por, disa evropianëve, sikur kjo nuk iu pëlqente.

Rruga për Amerikë, në tri deceniet e fundit, çdo herë, kishte sjellë ogur të mirë për Kosovën dhe shqiptarët, kështu pritej të ishte edhe pas kësaj rruge. Por, kjo nuk ishte rruga e vetme që iu ndërpre një udhëheqësi dhe lideri të shqiptarëve. Evropianët, janë besnik, për aq sa kanë interes dhe frikë.

Kjo i kishte ngjarë edhe Skënderbeut, i kishte ngjarë edhe Pjetër Bogdanit, kjo i kishte ngjarë edhe Abdyl Frashrit, Ismail Qemalit, edhe Ahmet Zogut, edhe Enver Hoxhës, edhe Ibrahim Rugovës.

Jo të gjitha udhëtimet e tyre të nisura, kishin përfunduar në destinacionin e synuar. Por, kjo rrugë e Hashim Thaçit, ishte e veçantë, sepse, do të rikonfirmonte vijimin e besimit të ndërsjellë me administratën amerikane dhe do të kontribuonte lehtësimit të rrethanave të pritshme dhe të imponuara nga faktori ndërkombëtar për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Por, rregullimi dhe paqësimi i situatës nuk ishte qëllimi i disa evropianëve, qëllim ishte status quoja. Status quo-ja i shkonte dikujt për shtati. Dikujt që bën ligjin në Evropë. Në Evropë, ligjin e bën frika. Frika evropiane është kreatorja provizore e mirëqenies aktuale. Frikë me të cilën ia imponoi botës kuptimet mbi dukuritë e caktuara, si p.sh. sundimi i ligjit, demokracia, diplomacia, etj.

Tregtarët e regjur evropianë, ia shisnin Kosovës “tullën” për më shumë se 40 vjet (sistemi i zhvatjes ku “ofrohej” siguria nga “bosi” i cili zotohej se do ta mbronte prenë nga ai vetë). Këtë “tullë”, evropianët, me ndihmën ruse, shqiptarëve ua shiste për më shumë se njëqind vjet, duke ia copëtuar tokat. Shqiptarët, nuk kishin mundësi të mos e blinin “tullën”. Kjo situatë vazhdoi deri më 1998, kur UÇK-ja bëhet palë aktive e krijimit të lirisë, faktor e garanci për çlirim, pa Pax Europaea.

Këtë mospërfillje ndaj “rregullave” për liri të Hashim Thaçit, Drejtorit politik të UÇK-së, kishte ardhur momenti t’i hakmerreshin. Hakmarrja kundër Thaçit ishte e llojit çfarë dinë ta bëjnë kreatorët me traditë të fuqishme të pabesive e ndërskamcash. Ndalja e atij fluturimi ishte i drejtuar kundër Thaçit, arritjeve historike të UÇK-së dhe Kosovës si subjektivitet shtetëror.

Ishte përpjekje ta ndryshonin historinë nga presioni i projeksioneve të gjeostrategjisë së mundur lindore, me ndihmën e denoncuesve të llojit të dorës së zezë e deri te ozna, udba dhe bia duke e zbritur nga aeroplani i nisur drejt kontribuuesit vendimtar të lirisë e çlirimit tonë. Për këto 23 vjet, nuk arritëm ta mësojmë ende mësimin për mikun dhe armikun në pikë vështrimin evropian.

Deri sa ta mësojmë mësimin, evropianët do të arrijnë t’i pastrojnë duart si Ponc Pilati, nga mbi 400 masakra të pandëshkuara kundër shqiptarëve, duke vajtuar nën kërcënimin e frikës së dimrit siberian për drejtësinë e përjetshme.

Gazi, nafta, diktaturat, interesi, mafia, korporatat, liria, barazia, demokracia, sundimi i ligjit, hajnia, korrupsioni, standardet dhe lesh arapi tjetër demagogjik, për shqiptarët, do të marrin trajtesa finoke, me stil evropian, nga shitja e “tullës”, deri te medikamentet çudibërëse placebo. Të gjitha këto, për shkaqe humanizmi e baraspeshe, në kurriz të shqiptarëve, si sot e 579 vjet e deri te Hashim Thaçi me shokë.