Bedri Hamza tregon nëse do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Mitrovicës

Dje gjatë ditës në media është raportuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Mitrovicës.

FrontOnline për këtë ka kontaktuar ish-ministrin e Financave, tani nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamzën, por i njëjti nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar një gjë të tillë, shkruan FrontOnline.

Pa dashur të flasë gjatë, e vetmja përgjigje e tij ka qenë se nuk ka çfarë të thotë tjetër pos që do të shihet në ditët në vazhdim.

“Kur bëhet zyrtare e shohim këtë farë pune”, është përgjigjur shkurt Hamza, për FrontOnline.

Por, nuk është shprehur i gatshëm të tregojë as edhe nëse partia ia ofron një pozitë të tillë.

“Ti mund të m’i bësh edhe 50 pyetje, por unë do ta jep të njëjtën përgjigje”, ka deklaruar Hamza.

Kundërkandidat i Hamzës në zgjedhjet lokale mund të jetë Agim Bahriri nga Lëvizja Vetëvendosje, por kjo parti nuk ka vendosur ende nëse do të garojë me të apo dikë tjetër.

Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka shprehur dëshirën për të rikandiduar, por LVV-ja ende s’e ka marrë vendimin për këtë.

Hamza kohë më parë në një intervistë kishte thënë se ishte në udhëkryq për të vendosur rreth kandidimit, ndërsa shtonte se qytetarët e Mitrovicës do ta mirëprisnin kandidaturën e tij.

“Me sinqeritetin ma të madh, jam para një udhëkryqi dhe para një dileme. Ne të gjithë e dimë se për këto çështje vendosin strukturat e partisë”, ishte shprehur Hamza.

Ai e kishte kritikuar udhëheqjen e Agim Bahtirit me këtë komunë, duke theksuar edhe shkarkimin e shpeshtë të drejtorëve të shkollave.