Hisen Berisha ka një kërkesë për ministrin Mehaj dhe komandantin Jashari

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha i ka bërë publike një kërkesë ministri Mehaj dhe komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari.

Ish-oficeri i UÇK-së ka kërkuar që të avansohen në pozitë udhëheqëse ushtarakët e FSK-së që janë trajnuar e shkolluar me standarde të NATO-s.

“Si një ish oficer i FSK-së dhe ish oficer i UÇK-së i bëj thirrje Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të ri të FSK-së që të nisin procesin e avancimit në pozita udhëheqëse, në nivel shtabi, të oficerëve të rinj të FSK-së të edukuar e trajnuar sipas standardeve të NATO-së, në sinkron me demobilizimin e programuar e me nder të të gjithë ushtarakëve që FSK i ka trashëguar nga TMK.
FSK, si një ushtri moderne e shtetit tonë, është krijuar me qëllimin strategjik që të bëhet pjesë e pandashme e NATO-së, rrjedhimisht një shtyllë jetike për sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Të gjithë ne, pra ushtarakët që, pas demobilizmit të UÇK-së, kemi shërbyer në TMK i takojmë një mendësie ushtarake që rrjedh nga doktrina e ish Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), nga doktrina e ish Ushtrisë Popullore të Shqipërisë (UPSH) ose të një gërshetimi të të dyjave.
Që të dyja këto doktrina nuk janë kompatibile me doktrinat e NATO-së, e sidomos me doktrinën bashkëkohore të NATO-së, pjesë e të cilës ne synojmë që të jemi.

Oficerët e rinj të Kosovës janë shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të botës perëndimore dhe ata tashmë janë të gatshëm që të marrin të gjitha përgjegjësitë. Prandaj është obligim i yni që brezi i ri i ushtarakëve të Kosovës të fuqizohet pa asnjë rezervë” shkruan Berisha në kërkesën e tij.