Jasharaj: S’na hidhëron deklarata e Kurtit, urojmë ta ketë thënë kalimthi

????????????????????????????????????

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk e kanë pritur deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se do të ketë ndryshime në sindikata.

Ai e quajti atë një deklaratë shokuese sepse, sipas tij, nuk është e drejtë as e kryeministrit as e dikujt tjetër që të përzihet në organizimin sindikal.

“Se kush është dhe kush do të jetë në të ardhmen udhëheqës në federata, konkretisht e kam fjalën edhe për SBASHK-un, vendosin vetëm anëtarësia e asaj sindikate, në këtë rast anëtarësia e SBASHK-ut. Ata janë vlerësues të angazhimit të punës së kryetarit dhe ata vendosin se kush do t’i udhëheqë tash ose në të ardhmen,” tha Jasharaj në Klan Kosova.

Tutje, ai deklaroi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është stabile dhe se asnjë kryeministër apo ministër nuk ka mundur ta luhasë unitetin e saj.

“Ne jemi njerëz dhe nuk do ta marrim me hidhërim deklaratën e Kurtit, por urojmë që ai ta ketë thënë kalimthi, në një moment mbase emocional. Dhe që nga nesër t’i hapë dyert dhe ta thërrasë, në mos mua dhe Blerim Sylën, e kam fjalën për dy sindikatat, të shëndetësisë dhe tonën, atëherë le ta thërrasë Atdhe Hykollin, që është kryetar i të gjithëve dhe le të fillojë dialogun.”

I pari i SBASHK-ut gjithashtu e këshilloi Kurtin që të ruhet nga deklaratat e tilla, sepse sipas tij, ato përcillen edhe tek institucionet ndërkombëtare.

“SBASHK-u do t’ia dërgojë një shkresë Unionit të Sindikatave të Evropës, ku jemi anëtarë, dhe Internacionales Botërore, që ta informojmë për situatën e krijuar dhe për ta informuar për deklaratën e Kurtit. Ata besoj që do t’i dërgojnë letër duke e këshilluar që ai të ketë deklarata të matura.”