Konjufca bëri homazhe në Abri: Liria kompletohet kur shkon bashkë me drejtësinë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe.

Pas homazheve kryetari Konjufca e konsideori masakrën e Abrisë njërën nga krimet më mizore dhe akt të qartë të gjenocidit që shteti i Serbisë me aparatin e vet policor dhe ushtarak ka bërë mbi shqiptarët e Kosovës.

Ditën e sotme ai e konsideroi ditë dhimbjeje por edhe krenarie, ngase, siç tha kryetari Konjufca, ishte gjaku i derdhur i popullit tonë ai i cili na solli deri këtu.

“Nuk di ndonjë gjenocid në botë për të cilin të ketë pasur më pak drejtësi se sa në rastin e popullit tonë. Nëse kemi parasysh numrin prej 12 mijë qytetarësh tanë të vrarë nga shteti serb dhe në anën tjetër numrin e të dënuarve për të gjitha këto vrasje, është me të vërtetë pikëlluese. Kjo plagë po vazhdon ende, sepse përveç masakrave të kryera dhe mungesës së drejtësisë për 24 vite, mbi 1600 qytetarë të Kosovës ende nuk janë gjetur.  Natyrisht dihet që Serbia si shtet gjenocidal i mban ata dhe nuk i kthen“, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit tha se kjo është një betejë e papërfunduar dhe se liria kompletohet kur shkon bashkë me drejtësinë.

“Kjo na obligon edhe më shumë si institucone, që përveç se t’i kujtojmë dhe nderojmë, ta ngrisim zërin dhe të bëjmë edhe më shumë kudo që na jepet mundësia, nëpër forume e institucione të rëndësishme të botës, për t’u treguar atyre dhe për t’i bindur se kush është Serbia e vërtetë. Njëkohësisht insituconet tona duhet t’i ngrisin kapacitetet dhe t’i kryejnë vet disa punë të shtëpisë, të cilat na takojnë e që nuk i kemi kryer kurrë, siç është hetimi dhe argumentimi i krimeve të luftës e i ndjekjes së kriminelëve, të cilët ende janë të lirë në Serbi dhe shpesh herë po marrin edhe poste të larta instituconale në këtë shtet“, theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. ​