Kurti: Informacionet lidhur me rastin në Gllogjan po shtohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se informatat lidhur me vrasjen në Gllogjan janë duke u shtuar, porse ende nuk kanë një të dyshuar.

Në sulmin ndaj një autobusi me nxënës në Gllogjan të premten, janë vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informata që shpie në zbardhjen e rastit.

Kurti pas varimit të dy nxënësve të vrarë, ka vizituar Stacionin e Policisë në Deçan, ku më pas është prononcuar për media së bashku me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmedi.

Ai ka vizituar Stacionin së bashku me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48-orëshit, ende nuk e kemi zgjidhjen. Por nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja. Edhe më tej kemi 2-3 pista. Momentalisht nuk kemi të dyshuarin të pandehurin, porsa të kemi informacione për këtë, sigurisht se do të ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit që po marrim me hulumtimin e hetimin që po bëhet, edhe nga vendi i ngjarjes, e sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por, nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit”, ka thënë Kurti.

E Drejtori i Policisë, Mehmeti, ka thënë se gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion.

“Gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion policor e në marrje në pyetje të dëshmitarëve potencial e njerëzve që mund të jenë të lidhur në ndonjë rrethanë apo tjetër me viktimat ose me rastin. Kemi dy-tri pista, siç e potencuam edhe dje, që potencialisht mund të jenë motive të ndryshme. Kemi biseduar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve, por edhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me viktimat apo shoferin, dhe me gjithë personat potencialisht që kanë mundur të kenë kontakt apo informata lidhur me rastin”, ka thënë Mehmeti.