Dita e Kosovës, sonte luan përballë Norvegjisë në Bergen

Dita e shumëpritur ka ardhur. Kosova përballet sonte me Norvegjinë në Bergen nga ora 19:00, përcjell FrontOnline.

Ndeshja transmetohet në Kujtesa dhe Art Motion. Ky takim zhvillohet në kuadër të paraeliminatoreve për FIBA Eurobasket 2025.

Në Grupin C bënë pjesë edhe Danimarka. Sfida ndaj danezëve do të zhvillohet më 28 Nëntor në Prishtinë, nga ora 19:00.

Vendi i parë kualifikohet tutje, si dhe vendi i dytë më i mirë nga të tri grupet parakualifikuese. Katër kombëtare kualifikohen në rrethin e dytë parakualifikues.

Kjo është hera e parë që përballen Norvegjia dhe Kosova. Vendasit kanë vënë në dispozicion 1200 bileta për takimin e parë në shtëpi pas 20 vjetësh.

Shqiptarët që jetojnë në Norvegji, biletat mund t’i gjejnë në faqen zyrtare të Federatës Norvegjeze (basket.no).

Basketbollistët e Kosovës shpresojnë në përkrahjen e tifozëve shqiptarë, ashtu siç i kanë përkrahur në ndeshjet tjera që i kanë zhvilluar si mysafirë.