Gjermania fiton, por nuk e kalon grupin, eliminohet nga botërori

Katër herë kampioni i botës në futboll, Gjermania, është eliminuar që në fazën grupore të ‘Katar 2022’ përkundër fitores bindëse (4-2) ndaj Kosta Rikës në raundin e fundit.

Një pasim të mirë nga David Raum e shfrytëzoi Serge Gnabry për ta zhbllokuar rezultatin dhe ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë, Kosta Rika përmbysi gjithçka me golat e Yeltsin Tejeda (58’) dhe Juan Pablo Vargas (70’).

(Foto: Getty Images)

Në vijim doli në skenë sulmuesi i Chelseat, Kai Havertz, i cili u inkuadrua në fushë në minutën e 66-të të takimit.

Ai realizoi dy gola (73’ dhe 85’) falë asistimeve nga Niclas Fullkrug dhe Serge Gnabry për ta rikthyer epërsinë e Die Mannschaft.

Një gol në minutat shtesë e realizoi edhe Niclas Fullkrug (90’+1) pas asistimit nga Leroy Sane.

(Foto: Getty Images)

Mirëpo, përkundër kësaj fitoreje, Gjermania mbeti e treta në renditje me pikë të barabarta me Spanjën (nga katër) që u mposht nga lideri i Grupit E, Japonia.

Në të tetën e finales, Japonia luan kundër Kroacisë, ndërsa Spanja kundër Marokut.