Ky është gjyqtari i finales së Ligës së Kampionëve

Gjyqtari francez Clement Turpin do të gjykojë finalen e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Liverpoolit, e cila do të luhet në Paris të shtunën, ka konfirmuar zyrtarisht UEFA.

Në një prononcim për faqen zyrtare të UEFA-s, gjyqtari francez ka thënë se ndjehet i privilegjuar, pasi se tashmë i ka realizuar dy ëndrrat më të mëdha në karrierën e tij.

“Unë drejtova dy finale të Kupës së Francës në këtë stadium dhe të gjithë në Francë që e duan futbollin e shohin këtë stadium si një “tempull futbolli””.

“Në këtë stadium, Franca u bë kampione e botës në vitin 1998 dhe në këtë drejtim ky është një vend vërtet i veçantë”.

“Për mua ky është një privilegj i madh dhe mund të them se i kam realizuar dy ëndrrat më të mëdha që mund të ketë një gjyqtar futbolli”, ka thënë Turpin.

Turpin do të ndihmohet nga Nicolas Danos dhe Cyril Gringore, ndërsa gjyqtari i katërt është Benoit Bastien, po nga Franca dhe në sallën e VAR do të jetë Jerome Brisard.

Ndeshja mes Real Madridit dhe Liverpoolit do të luhet të shtunën në orën 21:00.