Man City me fitore të lehtë ndaj Brightonit, vazhdon ngritjen në tabelë

Manchester City ka fituar me lehtësi te Brightoni me rezultat 4-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në Ligën Premier.

Ekipi i Pep Guardiolas ka vazhduar serinë pozitive në kampionat duke marrë një fitore të radhës në ndeshjen ndaj Brightonit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Cityt, i cili përveç rasteve të shumta arriti t’i shënojë edhe tri gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm 13 minutave lojë dhe ishte Ilkay Gundogan, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Bernardo Silvas.

Pas golit të parë në skenë doli anglezi Phil Foden, i cili në minutën e 28-të shënoi për 0-2 pas asistimit të Jack Grealish, ndërsa në minutën e 31-të devijoi një goditje të Gabriel Jesus për epërsinë 0-3.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, pasi City vetëm donte të menaxhonte rezultatin, teksa dy ekipet arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 80-të dhe ishte Alexis Mac Allister, i cili shënoi nga penalltia për 1-3, ndërsa Riyad Mahrez (90+) shënoi për rezultatin përfundimtar 1-4.

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e dytë me 20 pikë, ndërsa Brigtoni zë vendin e katërt me 15 pikë.

Në ndeshjen e radhës, “Qytetarët” e presin Crystal Palacen, ndërsa Brightoni udhëton te Liverpooli.